Sallat e testimit për patentë shoferë janë hapi i parë për ata që duan të bëhen shoferë. Aty ku vlerësohet aftësia për të drejtuar një automjet, duhet të sundojë korrektësia, transparenca dhe mbikëqyrja strikte.
Përgjegjësitë e zyrtarëve dhe institucioneve në këtë hallkë janë të qarta: të garantojnë që në rrugë të dalin vetëm persona të testuar profesionalisht dhe të përgatitur siç duhet. Çdo cenim i këtij procesi nuk është vetëm dështim administrativ, por është rrezik potencial për jetën e qytetarëve.
Në një rast të ndodhur në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë, gjithçka duket gati deri pak çaste pasi të fillon testimi. Më 2 korrik 2024, ditë e martë, në ora 14:30 është paraparë testimi teorik dhe kandidatët hyjnë në sallën e testimit. Njëri pas tjetrit, kandidatët zënë vendet e tyre pranë kompjuterëve. Por, jo të gjithë prej tyre i shkojnë deri në fund testimit.
Hulumtimi i “Betimit për Drejtësi”, tregon që tre nga kandidatët që iu nënshtruan testimit teorik, dyshohet se hynë në sallë me pajisje kopjuese të dyshimta. Në anën tjetër, rasti i cili u raportua në Polici po në atë ditë, u dërgua në Prokurori pas 7 muajsh me raport informues.
Gjithçka filloi kur monitoruesit e Departamentit për Patentë Shoferë nga Prishtina pretendojnë se panë në kamera që kandidatët në Gjakovë kanë diçka të dyshimtë, pasi u ulën për t’i plotësuar testet. Dyshimet u ngritën fillimisht për dy persona, e të njëjtit ende pa përfunduar testimet e tyre largohen nga salla, raporton “Betimit për Drejtësi”, transmeton Gazeta Papirus.
Fejzullah Mustafa, Drejtor i Departamentit për Patentë Shofer, ka thënë se për tre kandidatët dyshimet ishin se posedojnë pajisje kopjuese – kamera të vendosura në trup.
“Atë ditë ishim në qendrën e monitorimit bashkë me monitoruesin e kamerave të pjesës teorike dhe vërejtëm dyshime tek dy kandidatë, të cilët në rastin e uljes në karrige filluan të zhveshen në njëfarë mënyre në proces testimi dhe filluan të rregullojnë kompjuterët përmes kamerave të verifikuara, para se të shohin pyetjet e mundshme në ekran. Ju e dini që ne e kemi digjitalizu të gjithë procesin dhe një pyetje del e vetmja në ekran dhe mundësia e vetme aktualisht është që të përdorin kamerat për të përfundu procesin e testimit që është mënyrë jo legjitime, jo legale, jo të rregullt. Përpos këtyre dyve ne që i kemi vërejtë, ka qenë edhe i treti të cilin e kemi vërejtë dikur më vonë”, u shpreh Mustafa.
Me qëllim që të parandalohen veprime të palejueshme të kandidatëve që iu nënshtrohen provimit teorik ose praktik për patentë shoferë, institucioni ndërmerr edhe masa të tjera, siç është kontrolla me detektor.
Për rastin e ndodhur më 2 korrik 2024 në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë të tre kandidatëve të dyshuar që hynë në provim teorik, detektori sinjalizoi më dritë të kuqe edhe pasi i lënë gjërat personale në tavolinë.
Adrian Batusha, punëtori apo sigurimi që kontrollon kandidatët me detektor, fillimisht nuk pranon se me 2 korrik ka qenë në punë.