Nga zona ku LVV-ja po e mbante një tubim elektoral në Skënderaj më 27 janar u ngritën tre gishtërinj. Për këtë provokimin me simbolin e paramiltarëve serbë, PZAP e gjobiti partinë në pushtet. Vendimi ngjalli shumë reagime.
Për një sërë arsyesh, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të shtunën e dënoi me 35 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndër to, më së shumti ra në sy njëra. PZAP kishte evidentuar se në tubimin e kësaj partie në Skënderaj më 27 janar, mbështetës të Albin Kurtit kishin provokuar duke ngritur tre gishtërinj.
Ky simbol serb në vendin që i ndjen ende plagët nga lufta me Serbinë si duket e kishte tensionuar situatën aq shumë, sa Policisë iu desh edhe të ndërhynte për ta shmangur konfrontimin, me qytetarë që fishkëllenin praninë e kryeministrit atje. Tubimi i LVV-së mbahej në një zonë ky ishte edhe lapidari i një fëmije të vrarë nga forcat serbe.
“Në ankesën 248/2025, pretendohet se me 27 janar 2025 në tubimin e mbajtur në Komunën e Skenderajt janë publikuar disa fotografi, në rrjetet sociale dhe mediat elektronike të mbështetësve të LVV, të mbledhur në këtë tubim, duke ngritur tre gishta lartë, gjest i cili është simbol ekskluziv serb, i cili në tre vitet e fundit ka marr ngjyrime nacionaliste, pasi u përdor nga forcat paramilitare serbe në luftërat e zhvilluara në Ballkan. Parashtruesi i ankesës si prova ka bashkangjitur Fotografia e publikuar nga tubimi i mbajtur në Komunën e Skenderajt, dhe ftesën e njoftuar nga subjekti politik LVV, për tubimin në Komunën e Skenderajt”, thuhet në arsyetimin e PZAP.
Në përgjigje të kësaj ankese, LVV-ja i ka thënë PZAP-së se në ato pamje, “për një vrojtues të rëndomte ndoshta mund të dakordohemi se vetëm një flamur vërehet mirëpo asgjë tjetër lidhur me gjendje faktike”.
“Në përgjigjen për ankesën 248/2025 të LVV-së, pretendohet se shkrimi i bashkangjitur në fotografi nuk dëshmon asgjë as vendin as personin që do të ndërlidhte me subjektin LVV, madje për një vrojtues të rëndomte ndoshta mund të dakordohemi se vetëm një flamur vërehet mirëpo asgjë tjetër lidhur me gjendje faktike”, tregon PZAP në arsyetimin e vendimit.