Ish-politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se vizita e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë për paradën e 9 majit është më pak e rëndësishme sesa zhvillimet e brendshme në Serbi, ku sipas saj, ndikimi rus po rritet në mënyrë alarmante.
Në një prononcim për Klankosova.tv, ajo tha se shërbimet ruse po rekrutojnë me shpejtësi individë në Serbi dhe po izolojnë zërat pro-perëndimorë.
Trajkoviq përmendi ndikimin e fuqishëm të BIA-s në institucione të atjeshme si kishat, mediat dhe sistemin gjyqësor, duke theksuar se vlerat evropiane po shtypen sistematikisht.
Sipas saj, Serbia po shkon gjithnjë e më thellë drejt një kursi anti-evropian.
“Shpresat janë te studentët, por edhe ata po sulmohen me histori të fabrikuara për ndikimin rus, të shpërndara përmes kanaleve diplomatike”, deklaroi Trajkoviq, duke kritikuar edhe përpjekjet për ta paraqitur mobilizimin qytetar atje si “Revolucion me Ngjyra”.
“Mesazhet skizofrenike synojnë të ngatërrojnë naivët. Unë besoj që Amerika dhe BE-ja e kuptojnë këtë”, deklaroi Trajkoviq.
Më tej ajo shtoi se Rusia po fiton terren gjithnjë e më thellë në Serbi dhe ironizoi se “nëse kjo është rruga për në BE, atëherë gjithçka është në rregull”.
Politikanja serbe nga Kosova gjithashtu shprehu keqardhje që, sipas saj, gjithnjë e më shumë profesionistë në Serbi – mjekë, profesorë dhe gazetarë, janë në shërbim të pushtetit sesa profesionistë të denjë./GAZETA PAPIRUS/