Ndërmarrja publike “Trainkos” ka zbuluar se ka pasur ndërhyrje dhe manipulim të të dhënave në arka fiskale dhe se është dëmtuar financiarisht nga shitja e biletave gjatë operimit me arka për një kohë të gjatë.
12 punonjësve u është shkëputur marrëdhënia e punës për shkak të kësaj. Dëmi i konstatuar është 230 mijë euro.
“Trainkos” ka njoftuar se ka nisur si hetim i brendshëm i ndërmarrjes e më pas me aprovimin e Departamentit të Arkave Fiskale në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, përmes operatorit të licencuar ekonomik “Enternet”, janë bërë leximet e të dhënave të të gjitha arkave fiskale.
“Nga ky lexim ka rezultuar se ka dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të dhënave, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore. Të gjitha këto dyshime janë dokumentuar e vërtetuar përmes leximeve nga personat e autorizuar përgjegjës të operatorit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e ndërmarrjes thuhet se “Trainkos” ka njoftuar të gjitha organet e veta kompetente si dhe ka nxjerrë dëshmitë e dyshimit për aktivitetin e bërë nga disa punonjës përmes arkave fiskale, të cilët siç thuhet nga “Trainkos”, nga viti 2016 deri në fundvitin 2024 kanë ndërhyrë në të dhënat e raportimit duke resetuar pajisjet dhe duke fshehur të dhënat reale të shitjeve.
“Nga raporti i fundit, të cilin e kemi pranuar nga ENTERNET, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh, dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër (4) pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e pa lexuara dhe shuma totale pas kësaj”.
Për këtë, janë njoftuar dhe organet e rendit dhe të hetuesisë. “Trainkos” i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet.