Përleshjet ku përpos grushteve përdoren edhe mjete tjera të forta e të mprehta, janë bërë të shpeshta në vendin tonë. Ka shumë raste kur ato kanë përfunduar në mënyrë tragjike, duke u shndërruar kështu në një dukuri shqetësuese.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të shkollës së mesme të mjekësisë ‘Elena Gjika’ në Ferizaj, ku ka ndodhur një përleshje dhe si pasojë një person i mitur ka mbetur i lënduar si pasojë e goditjes me thikë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i mituri është dërguar atje me plagë të dukshme të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë dhe pas dhënies së ndihmës së parë, ai është transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.
Personi i dyshuar ende nuk është identifikuar, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.