Qytetarët e Kosovës sërish do të përballen me reduktime të shumta të energjisë elektrike.
Demokracia.com nga burime brenda Korporatës Energjetike të Kosovës merr vesh se reduktimet e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës do të nisin nga data 15 dhjetor 2022.
Deri tani, Kosova ka arritur ta stabilizojë gjendjen me energjinë për shkak të ndihmës së vazhdueshme nga Shqipëria.
Ndërkohë, në seancën e Kuvendit është miratuar vendimi për zgjatjen e masave emergjente për furnizimin me energji edhe për 30 ditë. Kësisoj legjitimohen edhe reduktimet e rrymës.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës u përballen me reduktime të energjisë elektrike edhe në fundvitin e kaluar si dhe gushtin e këtij viti.
Më 22 dhjetor të vitit 2021, reduktimet nga KEDS u paralajmëruan vetëm për dy orë, megjithatë në shumë qytete të Kosovës qytetarët u ankuan se reduktimet po zgjasnin me orë të tëra.
Atë kohë, Qeveria e Shqipërisë njoftoi se do t’i japë Kosovës 7,680 megavatë energji elektrike për datën 31 dhjetor dhe 1 janar.
“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës kemi arritur që të sigurojmë 3,600 megavatë për datën 31 dhjetor dhe 4,080 megavatë orë për datën 1 janar 2022”, kishte njoftuar Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet me kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.