Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka raportuar për akuzën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Federatës Ruse, e cila, sipas tij, po i nxit tensionet mes vendit tonë dhe Serbisë për shkak të dobësimit të luftës në Ukrainë. Kjo gazetë gjithashtu shkroi se shqetësimi do të jetë që kërkesa e Serbisë ndaj NATO-s për dërgimin e një mijë trupave në Kosovë mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi të njëanshëm për dërgimin e tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Rusia po i nxit tensionet mes vendit të tij dhe Serbisë për shkak të dobësimit të luftës në Ukrainë përderisa Beogradi e bëri hapin e parë për dërgimin e trupave në rajon.
Serbët etnikë në Kosovën veriore, ku janë shumicë, kanë vendosur barrikada për më shumë se një javë, duke e parandaluar lëvizjen e lirë të autoriteteve kosovare, pavarësisht nga thirrjet e ShBA-së dhe të BE-së për largimin e bllokadave ilegale në rrugë.
Një grup i madh i pjesëtarëve të “Patrullës Popullore”, organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin paramilitar rus, “Wagner”, gjithashtu u mblodhën të dielën në anën serbe të kufirit Kosovë – Serbi, duke kërcënuar se do të ballafaqohen me trupat e NATO-s.
Kur rreziku për përleshje të dhunshme po rritet, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e përdori të drejtën e tij sipas një rezolute të OKB-së për të kërkuar leje nga NATO-ja që të dërgojë 1.000 pjesëtarë të policisë e ushtrisë [në Kosovë], duke e përmendur nevojën për t’i mbrojtur komunitetet serbe.
Kërkesa e Serbisë të premten, e para që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, do të refuzohet pothuajse në mënyrë të sigurt, por shqetësimi do të jetë që ky mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi të njëanshëm për dërgimin [e trupave në Kosovë].
Kurti tha se është i shqetësuar se situata e tensionuar do të mund të eskalonte në favor të Vladimir Putinit, pasi forcat ruse dhe serbe kanë kryer 104 ushtrime të përbashkëta ushtarake më 2021.
Udhëheqësi kosovar shtoi se ai është pajtuar për t’i dhënë kohë trupave të udhëhequra nga NATO-ja, forcë e njohur si KFOR, për t’i bindur njerëzit në barrikada që të heqin dorë, por se nuk mund të lejohet që ato të mbesin për shumë më gjatë.
Ai i përshkroi barrikadat si një hap drejt ndarjes së vendit, i cili ka qenë i pavarur nga Serbia që nga viti 2008, shkruan “The Guardian”, përcjell gazeta “Nacionale”.
“Shqetësimi ynë është që largimi i këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë pasojat dhe, për këtë arsye, ne duam që të jemi sa më të kujdesshëm që është e mundshme për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe që paqja relative e siguria të jenë të vendosura. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë përgjithmonë, prandaj, po, kjo duhet të marrë fund, herët a vonë”- tha Kurti.
Kurti shtoi: “BE-ja, ShBA-ja pajtohen se barrikadat duhet të largohen, por ato gjithashtu janë të shqetësuara se si mund të përdoret dhe të abuzohet kjo nga Beogradi.”
“Mendoj se shqetësimi i partnerëve tanë perëndimorë dhe i miqve janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Ne nuk dimë se si ato do të mund të bëheshin operuese në rast të rritjes së tensioneve, drejt eskalimit në veri.”
“Mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është saktësisht ky: tash që Rusia është plagosur rëndë në Ukrainë pas pushtimit e agresionit të saj, ata kanë interes për kontraktimin e shtysës së tyre luftënxitëse në Ballkan, ku ata kanë një klient i cili është në Beograd”- shtoi Kurti.
Kremlini ka thënë se dëshiron që “situata të zgjidhet përmes mjeteve diplomatike”, por se ai qëndron “për sigurimin që të gjitha të drejtat e serbëve të jenë të garantuara”.
Ngërçi në Kosovën veriore, gjatë të cilit burra të armatosur e të maskuar kanë përdorur kamionë, autoambulanca e makina bujqësore për të bllokuar rrugë, është nxitur nga arrestimi i një ish-polici serb, i dyshuar për përfshirje në sulmet e fundit ndaj policisë kosovare.
Pika themelore e tensioneve mbetet refuzimi i Beogradit për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
BE-ja është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje që do të mund ta sillte normalizimin e marrëdhënieve, por Kurti tha se lidhjet gjithnjë duke u thelluar mes Beogradit e Moskës janë pengesë për përparim.
Një propozim franko-gjerman ka sugjeruar se në këmbim të mospengimit nga Beogradi të pranimit të rajonit të ndarë [Kosovës] në OKB si shtet anëtar, Serbia do të merrte përkrahje financiare nga BE-ja dhe rrugë të shpejtë për anëtarësim në këtë bllok.
Kosovës i nevojitet miratimi i Serbisë për t’u bërë anëtare e OKB-së, sepse aleatët e Beogradit, Rusia dhe Kina, e kanë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit.
Plani i BE-së, i mbështetur në një marrëveshje të vitit 1972, që kishte ndihmuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike të Gjermanisë, është mirëpritur në mënyrë të paqartë nga Vuçiqi, por zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka lidhje të ngushta me Kremlinin, më vonë e njoftoi refuzimin e tij.
Vuçiqi gjithashtu ka dalë kundër sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë në lidhje me luftën në Ukrainë. Bashkërendimi mes ushtrive të të dyja shteteve është shpeshtuar vjetëve të fundit.
Përtej ushtrimeve të gjera të përbashkëta ushtarake, një marrëveshje për themelimin e një zyreje përfaqësimi të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë në Ministrinë e Mbrojtjes të Serbisë qe nënshkruar në tetorin e vitit 2020.
Kurti tha se ai ende shpreson që Serbia do të anëtarësohet menjëherë në BE krahas Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Një kërkesë formale për anëtarësim iu dorëzua nga Kurti presidencës çeke të BE-së javën e kaluar. “Në Ukrainë është luftë, le ta parandalojmë përhapjen, prandaj anëtarësimi në BE ndihmon”- tha Kurti.
“E dimë që është një rrugë e gjatë para. Për Finlandën e Suedinë ishin tre vjet. Për Maltën e Qipron, 14. Mesatarja është nëntë dhe kam thënë publikisht: ta synojmë mesataren. Shoh gatishmëri të qartë në BE për të menduar ndryshe, pasi kontinenti është në luftë”- shtoi ai.