Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot e feston ditëlindjen e 54-të.
Që nga vitet e 90-ta, Hashim Thaçi, ishte në ballë të shumë proceseve të rëndësishme për vendin, që nga organizimet studentore e deri te themelimi i UÇK-së, shpallja e pavarësisë dhe shtetndërtimi i Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Thaçi e lexoi edhe deklaratën e pavarësisë dhe është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në shkurt të vitit 2016, Thaçi u zgjodh President i Kosovës dhe e mbajti këtë pozitë deri në vitin 2019, kur dha edhe dorëheqje.
Në këtë ditëlindje të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, Demokracia.com sjell disa mendime të personaliteteve të huaja për të:
Bill Klinton, president i SHBA-së, në nëntor 1999 nga Aeroporti i Prishtinës: “Më vjen keq që nuk jemi takuar më herët, për t’i dëgjuar orientimet tuaja demokratike”.
Wolfgang Petritsch, ambasador i BE-së, i ngarkuar për Kosovën, në nëntor 1999 në Vjenë: “Më në fund u takuam me njeriun e vërtetë, me të cilin mund të bisedojmë për Kosovën”.
James Rubin, zëdhënës i Departamentit të Shtetit në SHBA, “Si e fituam luftën” në 2000: “Ne së bashku e gjetëm kompromisin dhe e shpëtuam konferencën”.
Madeleine Albright, ish-sekretare e shtetit të SHBA-së, Washington, gusht 2001: “Nuk kam gabuar kur kam thënë se je politikan i lindur gjatë kohës së Konferencës së Rambujesë. Angazhimet tuaja gjatë luftës dhe pas luftës, ma kanë përforcuar mendimin se ti ke dhunti politike. I besoj vizionit tuaj, vizion që i ka munguar Kosovës”.
Zbignjev Bzhezhinski, Instituti për Studime Gjeostrategjike, SHBA: “Kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme për ju. Unë i çmoj njerëzit e fortë dhe këmbëngulës si ju”. (Janar 2001, Washington)
Oja Agynesh, akademike turke dhe deputete:
-“Thaçi është një lider shumë impresionues dhe shpresoj në suksese sa më të mëdha të tij. Unë e çmoj qëndrimin e tij, sakrificën e tij, i çmoj njerëzit që punojnë me të, që angazhohen për pavarësi…, është e papërshkrueshme kjo. Ne të gjithë duhet të lutemi për suksesin e tij”.
-“Unë jam eksperte për Ballkanin. Gjatë viteve ‘90 vazhdimisht i vizitoj këto pjesë të Ballkanit. Në analizat e mia unë kam cekur se vetëm rruga diplomatike nuk është rruga që do t’i çonte përpara kosovarët. Gjithashtu, duke e njohur mirë mentalitetin serb, sesi ata i planifikojnë gjërat që më parë, ata kanë plane të errëta më së 100 vjeçare sesi t’i nënshtrojnë kombet përreth. Për t’i luftuar serbët duhet që të kesh veti të larta njerëzore, të jesh i fortë, i përcaktuar, i paluhatur dhe i gjindshëm. Të gjitha këto veti unë i pashë te Thaçi dhe mendoj se në momentin e duhur ai e gjeti rrugën e duhur”.
James Petiffer, publicist britanez, Intervistë, nëntor 2001: “Hashim Thaçi ishte zemra e asaj lëvizjeje, pra UÇK-së. Dhe si i tillë meriton vëmendje nga historianët e ardhshëm. Hashim Thaçi, personalitet i respektuar dhe i dëshmuar gjatë luftës, është përfaqësues kryesor i Kosovës së re”.
Ismail Kadare “Ra ky mort e u pamë”, Onufri 2000 (për vizitën që i bëri delegacioni i UÇK-së): “… ata, me këtë gjest, me këtë këshillim tregojnë se pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një guerilje ballkanase, e kanë një dozë të fortë idealizmi, një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin evropian”.
Wolfgang Petritsch, Vjenë më 20 janar 2015: “Është nder dhe privilegj i madh të prezantoj Hashim Thaçin si marrës të çmimit “Golden Arrow Lifetime Achievement Award”.
Hashim Thaçi është një personalitet, i cili ka shkruar historinë evropiane nëpërmjet dy ngjarjeve të shquara:
– Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi si Kryeminister i parë i Republikës së Kosovës, e ka çuar vendin e tij drejt shpalljes së pavarësisë.
– 5 vjet më vonë, në prill 2013, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, marrëveshja historike mes Serbisë dhe Kosovës u arrit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.
“Jemi në mars 2018. Dhe unë i kam ende të freskëta kujtimet e marsit 1999, pra jemi sot këtu 19 vjet më pas. Më kujtohet kur në kohën që filloi fushata ajrore isha i ulur në bunkerin thellë nën Ministrinë e Mbrojtjes në atë mëngjes, kur kuptuam se po bëheshim gati për një sulm ushtarak ndaj një shteti të pavarur sovran, pa përfitimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe në këtë drejtim, ne në shumë mënyra po e bënim historinë. Shtatëdhjetë e tetë ditë më vonë ne kishim përmbushur tre objektiva që i kishim parashtruar në fillim të fushatës ajrore, objektiva këto që u thithën në një frazë e cila bëri që të përfshihesha në një libër të citimeve politike “Serbët jashtë, NATO brenda, refugjatët në shtëpi”. 78 ditë, ditë interesante. Dhe nuk mendoj se ndonjëri prej nesh mendonim atë ditë se lideri i asaj që ai vetë e përshkroi si një “ushtri foshnjë, e pa sofistikuar” do të bëhej presidenti i një shteti të pavarur të Kosovës. Prandaj, shpreh kënaqësinë që jam këtu sot me Hashim Thaçin për të shënuar këtë moment shumë të rëndësishëm. Ky libër paraqet në mënyrë të drejtë historinë e një individi dhe historinë e një lufte. Por, para se gjithash, historia është e gjatë, e ndërlikuar dhe e thellë. Nuk është një rrëfim i thjeshtë, siç nuk do të jetë as e ardhmja e saj. Por, siç kanë thënë shumë njerëz në pjesë të ndryshme të botës, ju mund ta respektoni historinë tuaj edhe pa e jetuar atë. Presidenti i ri i Kosovës do të vazhdojë të mbetet i përkushtuar për të ardhmen e shtetit të tij dhe të njerëzve që jetojnë, pavarësisht përkatësisë së tyre, etnike apo çfarëdo qoftë”./Demokracia