Lista e pritjes për një rezonancë magnetike në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës, është zgjatur deri në tetë muaj.
Njëri nga qytetarët pjesë e listës së pritjes, Alban Ukaj, tregon se me 15 maj klinika ia ka caktuar terminin për rezonancë më 14 shkurt 2023.
Si rezultat i gjendjes shëndetësore, ai thotë se menjëherë është interesuar që shërbimin ta kryej në një spital privat.
“Nuk e kuptoj se si është e mundur, unë jam i vetëdijshëm se gjendja mundet me mu rëndu deri në atë kohë. Po jam i bindur 99 për qind se nuk do të shkoj. Sa dola nga klinika dhe jam tu këqyr për çmime me shku me krye në privat. Në një spital më thanë 80 deri në 100 euro, është shumë e madhe, por jam pa zgjidhje s’mundem me prit deri në shkurt të vitit të ardhshme”, ka treguar Ukaj.
Sikurse Albani, edhe Sami Kurteshit seanca i është caktu shtatë muaj pasi ka bërë kërkesë, megjithëse thotë se është rast emergjent.
“Në shkurt kur kam ardhur, doktoresha më ka caktuar që me bërë rezonancë magnetike pas tre muajve si rast emergjent, ndërsa kur kam ardhur me caktu terminin më ka dal me 22 shtator, që do të thotë pas shtatë muajve. Kam kërkuar me pas më herët dhe të njëjtën më kanë thënë se nuk ka mundësi sepse nuk ka termine të tjera të lira”, ka thënë ai.
Kodra: Nëse afati i terminit nuk është i arsyeshëm dhe qytetarët marrin shërbim privat, shteti obligohet t’ua paguaj
Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, thotë se sipas ligjit institucionet janë të detyruara që t’i paguajnë pacientët për të marrin shërbim diku tjetër nëse afati i terminit nuk është i arsyeshëm.
“Ligji për drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor thotë se pacienti duhet me marr shërbim shëndetësor në afat të arsyeshëm, mundësisht në afat sa më të shkurtër kohor. Në rast se ky afat nuk është i arsyeshëm institucioni duhet me i pagu pacientët që ata me marrë shërbim shëndetësor diku tjetër. Ku kjo i bie se nëse QKUK nuk mundet me kriju aq efikasitet për pacientet është dashtë me pagu që ata me marrë shërbimin shëndetësor diku tjetër ose me kriju kapacitet të reja që mos me i lënë pacientët aq shumë më prit”, ka thënë ai.
Kodra ka theksuar se në këtë raste ka burokraci të tepruar për t’i bartur pacientë në institucione private.
“Është e besueshme se edhe kërkesa ka shumë por edhe burokraci të tepruara që me i bartë pacientët në institucione private”, ka thënë Kodra.
Klinika e Radiologjisë: Pritjet janë deri më 31 mars 2023
Se pacientët po përballen me pritje të gjata e konfirmon edhe Klinika e Radiologjisë.
Drejtoresha e kësaj klinike, Shkëndije Nuza, shkurt për Shqip.com ka thënë se lista e pritjes është deri më 31 mars 2023.
“Lista pritjes për rezonancë magnetike në përgjithësi raste ambulatore është 31.03.2023, ndërsa lista pritjes për rezonancë magnetike për fëmijë është 12.07.2022”, ka treguat Nuza.
Rezonanca magnetike është një teknikë që përdoret më së shumti në radiologji për të vizualizuar strukturën dhe funksionin e detajuar të trupit.
RM siguron kontrast shumë më të madh midis indeve të buta të ndryshme të trupit në krahasim me skanerin CT, duke e bërë atë shumë të dobishme në imazhet të trurit, muskuloskeletit, gjirit dhe imazhet kardiovaskulare. /Gazeta Papirus/