Bill Gates, njeriu i cili, sipas teoricienëve të konspiracionit, ka tentuar të na injektojë mikroçipe nëpërmjet vaksinave kundër COVID, është rikthyer sërish në qendër të këtyre teorive, këtë herë me linë e majmunëve.
Një numër i teorive konspirative kanë qarkulluar në Twitter duke pohuar se Gates është disi i lidhur me raportet e rasteve të lisë së majmunëve që janë shfaqur së fundmi nëpër botë.
Rastet e lisë së majmunëve vijnë më pak se një vit pasi Bill Gates paralajmëroi se qeveritë duhet të përgatiten për pandemitë e ardhshme dhe për aktet hipotetike të bioterrorizmit të lisë, duke investuar miliarda në hulumtim – diçka për të cilën ai paralajmëroi gjithashtu në 2017-ën. Ai i bëri komentet vitin e kaluar në një diskutim të organizuar nga Instituti i ekspertëve në Mbretërinë e Bashkuar, Policy Exchange. Aty ai bëri thirrje gjithashtu për formimin e një task force të re të OBSH’së për pandeminë.
Për disa përdorues të Twitter, këto ngjarje nuk janë thjesht rastësi dhe nuk mund të shpjegohen nga liderët botërorë të shqetësuar për shëndetin publik gjatë një pandemie globale. Sipas këtyre njerëzve, këto janë prova se Gates, “pasi na vendosi mikroçipa nëpërmjet vaksinave për COVID, është duke bërë diçka përsëri”. Edhe pse është e paqartë se për çfarë e akuzojnë saktësisht.