Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku ka dalë me një vendim pas takimit 5 orë ditën e sotme, lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Krujë ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy persona nga fisi Maja në aksin Fushë-Krujë Thumanë.
Ata kanë vendosur që të këtë ndryshime rrënjësore për të gjithë linjën drejtuese të komisariatit të Krujës për shkak se ka pasur tentativa për të mos e raportuar përfshirjen e fisit Rraja në këtë sherr.
“Në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky vendim erdhi pas konfliktit që ndodhi dy ditë më parë në aksin Fushë-Krujë Thumanë ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy persona nga fisi Maja.
Këta të fundit banorë të Borizanës, kishin denoncuar herë pas here fisin Rraja për aktivitetin e tyre te guroret, pasi sipas tyre shpërthimet në mënyrë të pakontrolluar kishin shkaktuar dëme të mëdha te banesat.
Aktualisht për dhunën janë shoqëruar në polici 8 persona, ndërsa ka shkuar në 6 numri i të shpallurve në kërkim. Një prej tyre është dhe djali i ish-deputetit socialist(Rrahman Rraja), Rexhep Rraja.