Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci dje, deklaroi se nënkryetari i LVV’së, Glauk Konjufca ka pasur një komunikim me të, ku e ka pyetur se çfarë po kërkon në këmbim të votës së deputetes Marigona Geci.
Komunikimin e konfirmoi edhe Ilir Kërçeli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka qenë edhe këshilltar i Glauk Konjuca.
E deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka dalë në mbrojtje të telefonatës së Glauk Konjufcës bërë Gani Gecit për t’i kërkuar votën e vajzës së tij – deputetes së LDK-së, Marigona Gecit – për postin e kryeparlamentarit.
Pacolli e sheh situatën “krejtësisht legjitime” dhe “të pranueshme” që opozitës t’i kërkohet mbështetje – madje edhe individualisht.
“Është krejtësisht legjitime dhe e pranueshme që deputetëve të opozitës t’u kërkohet, edhe në mënyrë individuale, të mbështesin zgjedhjen e Kryeparlamentarit. E rëndësishme është se, ndryshe nga e kaluara, sot nuk përdoren më terminale apo burime shtetërore për të siguruar vota. Kjo përfaqëson një praktikë të shëndetshme demokratike, por fatkeqësisht nuk vlerësohet si e tillë nga disa “analistë”, të cilët nuk udhëhiqen nga parimet e analizës së paanshme, por nga interesat e atyre që i shpërblejnë me përfitime të mëdha financiare”, ka shkruar ajo. ndër të tjera./Gazeta Papirus/