Pas kthimit nga SHBA të premten ora 17:00 kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i PS-së do të mbledhë kryesinë e PS-së ku do të parashtrojë listën me emrat e kandidatëve për postin e presidentit të ri të Republikës.
Burime nga Ora News bëjnë me dije se në zyrën e kryeministrit janë tashmë 10 emrat, dhe 5 prej tyre janë të fushës politike.
Emrat do i parashtrohen anëtarëve të kryesisë së PS-së për të shkuar në fund me një emër.
Ndërkohë të shtunën në mëngjes do të mbledhë grupin parlamentar për të firmosur kandidaturën e dakordësuar nga kryesia.
Kandidatura do të dorëzohet brenda orës 12:00 në sekretariatin e Kuvendit më pas në orën 16:00 do të shqyrtohet në komisionin e ligjeve dhe në orën 18:00 do të jetë seanca për raundin e katërt. Suprizë mbetet rezultati i votimit pasi do të jetë i fshehtë.
A do të zgjidhet presidenti I ri me 77 vota sa mori Ilir Meta.
PS ka 74 mandate, 3 mandate janë të Tom Doshit, që gjithmonë kanë qenë në favor të PS-së, ndërkohë që maxhoranca ka lënë të nënkuptohet se po negociojnë dhe janë në dialogim me deputetë të grupeve parlamentare të tjera të opozitës.
Çka do të thotë se mund të ketë rrjedhje votash por kjo mbetet për tu parë.