Policia ka bërë të ditur se të paktën tre nxënës dhe tre të rritur janë vrarë pas të shtënave në shkollën Covenant në Nashville, Tennesse.
“Tani e dimë se janë tre nxënës të plagosur për vdekje, si dhe tre të rritur brenda shkollës. Po punohet për identifikimin e atyre viktimave. Përfshirë edhe sulmuesin, gjithsej shtatë persona janë vrarë si pasojë e incidentit të mëngjesit të sotëm në shkollë,”- ka njoftuar Don Aaron i Departamentit të Policisë së Metro Nashville.
Më herët BBC ka raportuar se edhe nga departamenti i zjarrfikësve të qytetit është njoftuar për “pacientë të shumtë”, ndërsa është shtuar se zona mbetet një “skenë aktive”.
Shkolla Covenant në Nashville, ku raportohet të ketë ndodhur incidenti është një shkollë private e krishterë për nxënësit e moshës parashkollore deri në klasën e gjashtë.
Sipas faqe së internetit të shkollës, aty ndjekin mësimet rreth 200 nxënës.