Të premten pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj tre personave të dyshuar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Lajmin për mbajtjen e seancës e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, raporton Telegrafi.
“Po nesër pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj tyre”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës këtë të enjte do të dorëzojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të ndaluar për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’, për rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit, Syla.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.
“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë ditës do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave të ndaluar për veprën penale ‘Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’, nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe 31 të KPRK-së”, ka thënë Lutfiu.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë tre personat, të cilët dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht gazetarin Valon Syla, në mbrëmjen e së martës.
Gjithashtu, Prokuroria Speciale të mërkurën ka njoftuar se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre të dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’.