Rastet e dhunës në familje janë në rritje çdo ditë e më shumë. Zakonisht viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike jo vetëm nga bashkëshortët, por edhe nga pjesëtarët tjerë të familjes. Në konflikte të tilla shpesh përfshihen edhe vjehërria, të cilët ushtrojnë dhunë ndaj nuseve të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme në rrugën “Bajram Shala” në Prizren, ku një 23-vjeçare i ka denoncuar në Polici prindërit e bashkëshortit, vjehërrinë e saj.
Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjehërria e saj po ushtrojnë dhunë ndaj saj që disa muaj, por rasti i fundit që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme ka eskaluar deri në kërcënime.
Sipas informacioneve të para, vjehrra e të dyshuarës e ka kapur për fyti e ka kanosur seriozisht, duke iu drejtuar me fjalë “të gjuaj prej shkallëve nëse ma thua edhe një fjalë”. Për të mos mbaruar me kaq, edhe vjehrri e ka kërcënuar se “të vras nëse të shoh me dikë tjetër”, thonë burimet e Sinjalit.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që të kërkojë ndihmë, duke i raportuar të dyshuarit në Polici, me ç’rast ka rrëfyer për dhunën që ka përjetuar në shtëpinë e burrit.
Si rezultat i raportimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për dhunë në familje ndaj të dyshuarve.