Mbrëmja e djeshme nuk ka qenë aspak e qetë në qytetin e Prizrenit.
Ka pasur katër incidente të rënda, ku mbetën të lënduar disa persona.
Një tentim vrasje ka ndodhur para urgjencës së qytetit, ku pati një përleshje mes 15 personave, ku katër prej tyre kanë pësuar lëndim.
‘’Policia në Prizren së bashku me Prokurorinë e Shtetit ka zhvilluar hetimet dhe është duke e trajtuar rastin si ‘Tentim Vrasje’.
Në këtë rrahje janë të përfshirë 15 persona, ku dyshohet se janë përdorur një armë zjarri, mjete të mprehta si dhe është gjet edhe një shufër metalike. Më urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar 9 persona për 48 orë, ndërsa në Spitalin Rajonal të Prizrenit janë duke u trajtuar 3 persona kurse një person është duke u trajtuar në QKUK, pasi ka pësuar lëndime të rënda për shkak se është i plagosur me armë zjarri.
Krejt kjo përleshje ka ndodhur diku rreth orës 01:16, pas mesnatës, në vendin e ngjarjes kanë dal menjëherë policia, ekipi i forenzikës, hetuesit dhe të gjitha veprimet me këtë rast janë në koordinim me Prokurorin e Shtetit’’, tha për IndeksOnline zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Një tjetër përleshje ka ndodhur ne dalje te Prizrenit ne Mamushë ku disa persona janë rrahur me mjete te forta.
Në raportin e Policisë thuhet: ‘’ Ka ndodhë një rrahje në mes të dhjetë personave meshkuj. Gjatë rrahjes janë përdorë mjete të forta si dhe armë zjarri, si pasojë një i dyshuar mashkull ka pësuar lëndime nga arma në këmbë. Janë arrestuar gjashtë të dyshuar të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje përveç të dyshuarit i cili është në tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar.’’
IndeksOnline mëson se mbrëmja e djeshme nuk ka mbaruar me kaq, edhe një rrahje tjetër ka ndodhur mes disa personave në lokalin e natës ‘’Skenderbeg’’. Në këtë rrahje u përdoren edhe shkopinj.
Ndërsa në ‘’zëmrën’’ e qyteti, në ‘’Shatervan’’ ka ndodhur një aksident trafiku.