Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe një herë ka “penguar” daljen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Kësaj radhe, arsyeja për “gatishmërinë” e tyre për të braktisur këto institucione është, siç kanë thënë ata, “terrori që po kalojnë” dhe për shkak se Prishtina zyrtare nuk po e lejon votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit.
Më 22 mars, Vuçiq u takua në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët “jo vetëm që njëzëri i kërkuan që të largohen menjëherë nga institucionet, por edhe që 435 policë në veri të vendit, t’i lënë armët dhe të largohen nga policia rajonale”.
Megjithatë, Vuçiq u kërkoi atyre “durim, tolerancë dhe të numërojnë deri në dhjetë”.
Më 24 mars, Vuçiq po ashtu deklaroi se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më, për shkak të suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Suspendimi i Stevanoviqit vjen pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim në Beograd me presidentin Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues tjerë të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, këmbëngul që Beogradi zyrtar t’i dërgojë Prishtinës një kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, të cilën Serbia e vlerësoi si presion për njohje.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Kurti, thotë se asnjëherë nuk ka pasur qëllim që të sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia përmes kërkesës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe, por se askush nuk mund të kërkojë nga ai që të mos e respektojë sovranitetin e vendit të tij.
Në një konferencë për media, më 23 mars, pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë të ndaluara, por se nuk është arritur marrëveshje mes palëve.
Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos dalin në protesta, të cilat nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, i ka paralajmëruar për të premten, më 25 mars.
Jevtiq, i cili është gjithashtu kryetar i Komunës së Shtërpcës, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, tha se të premten (më 25 mars), serbët në jug dhe në veri të Ibrit do të mbajnë protesta paqësore me mesazhin “askush në shekullin e 21-të nuk i mohon të drejtat themelore të njeriut”.
Nga ana tjetër, Vuçiq tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës do të çonte në një “rreth vicioz të konflikteve të pafundme të luftës”.
“Disa njerëz (përfaqësues serbë) thanë se janë të gatshëm edhe për konflikte, disa për largim (nga Kosova). Unë u kërkova që të qëndrojnë në Kosovë dhe t’i ruajnë vatrat tona”, tha Vuçiq.
Kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe paralajmëron daljen e saj nga institucionet e Kosovës.
Herën e fundit, një gjë të tillë e kishte paralajmëruar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat u mbajtën më 17 tetor të vitit të kaluar.
Në konferencën për media, Rakiq ka thënë se serbët e veriut të Kosovës do të largohen nga institucionet e të gjitha niveleve, nëse brenda një muaji nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pra, në veri nuk do të ketë njerëz në institucionet e Prishtinës”, tha Rakiq.
Asociacioni do të duhej të bashkonte dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2013 dhe parimet për të janë miratuar në vitin 2015, por asnjëherë nuk është zbatuar në terren, sepse Kosova beson se do të rrezikojë funksionalitetin e vendit.
Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar se disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen me statut.
Për shkak të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përfaqësuesit politikë të serbëve paralajmëruan daljen e tyre nga institucionet e Kosovës, në tetor të vitit 2020, kur drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia do ta shqyrtojë një procedurë të tillë.
Pas deklaratës së Petkoviqit, gjithashtu edhe Goran Rakiq deklaroi se përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë do ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga institucionet. Rakiq asokohe ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.
Në dhjetor të vitit 2019, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte deklaruar se do të largohej nga institucionet e Kosovës nëse ndaj deputetit Ivan Todosijeviq jepet një vendim gjyqësor përfundimtar, për shkak të mohimit të krimit në Reçak.
Todosijeviq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, u dënua me dy vjet burgim për nxitje të “urrejtjes kombëtare”, por në fillim të këtij viti gjykimi u kthye nga e para.