Ambasadori Jeff Hovenier, në ceremoninë e mbajtur për shënimin e 25 vjetorit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), ka thënë qeveria e ShBA-së është e palëkundur në mbështetjen e saj ndaj Kosovës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Hovenier ritheksoi se qëndrimin e Qeverisë së ShBA-së për Kosovën.
“E bëj këtë sepse mendoj se është e rëndësishme që të mos ketë keqkuptime apo keqinterpretime të pozicionit të ShBA-së. Në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara e njohën Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Ne e bëmë këtë në bazë të zotimeve të forta nga autoritetet e Kosovës që ata të zbatojnë plotësisht Planin e Ahtisaarit për të krijuar një shtet demokratik, multietnik dhe gjithëpërfshirës. Ky pozicion është i pandryshuar dhe i vendosur”, potencoi ambasadori amerikan, raporton Klankosova.tv.
“Prandaj, ne nuk e pranojmë si të vërtetë asnjë përpjekje për të vënë në pikëpyetje statusin e Kosovës apo institucioneve të saj. Kushtetuta e Kosovës është legjitime dhe ne jemi krenarë për rolin që kemi luajtur në mbështetjen e zhvillimit të saj. Institucionet e Kosovës janë legjitime, dhe përsëri – ne jemi krenarë për mbështetjen tonë për të ndihmuar në themelimin dhe konsolidimin e këtyre institucioneve, duke përfshirë edhe ndihmën e NDI-së dhe shumë partnerëve të tjerë”, deklaroi Hovenier.
Më tej, ai foli edhe për premtimin që Qeveria e Kosovës ia kishte dhënë ShBA-së më 2008, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Por dua të ritheksoj edhe një pikë të ndërlidhur dhe kyçe – premtimi i Kosovës është si shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe multietnik, me mbrojtje të veçanta për komunitetet e saj pakicë. Përsëri, ne jemi krenarë për rregullin që kemi luajtur me partnerët tanë për të çuar përpara këtë vizion. Dhe ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë aktuale të Kosovës që të jetë një partner më i përkushtuar në punën me ne dhe anëtarët e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare për të parë të realizuar këtë vizion – që Kosova gëzon një shoqëri në të cilën të gjithë qytetarët jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie – duke përfshirë qytetarët etnikë serbë të Kosovës”.
Këto deklarata, duket se Hovenier i bëri pas propozimit të presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili në adresimin e javës së kaluar për opinionin serb, kërkoi që në Kosovë të kthehet status-quoja.
“Dua të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po aq krenare për mënyrën sesi populli amerikan, përfshirë përmes NDI-së, ka mbështetur popullin e Kosovës për të krijuar dhe mbajtur një shtet sovran, demokratik dhe ka avancuar në trajektoren e tyre të pashmangshme për të zënë vendin e tyre brenda Evropës – duke përfshirë në institucionet evropiane si BE dhe NATO”, tha ai, teksa falënderoi NDI-në për punën e saj dhe përfaqësimin e ShBA-së në mënyrën më të mirë të mundshme në Kosovë.
Qeveria e ShBA-së, tha Hovenier, ka histori të vjetër të bashkëpunimit me NDI.
“I ka ofruar rreth 40 milionë dollarë për të mbështetur programe dhe aktivitete në Kosovë për këtë periudhë. Puna e NDI në Kosovë është efikase dhe ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e demokracisë”.
“Qeveria e SHBA është krenare që përmes NDI ka mbështetur popullin e Kosovës për një shtet sovran dhe demokratik dhe të avancojë në trajektoren e paevitueshme për të marrë vendin që i takon në Evropë dhe anëtarësimin në BE dhe NATO”, potencoi ambasadori Jeff Hovenier. /Klankosova.tv