Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, bëri të ditur se të enjten, më 2 dhjetor, ëhstë planifikuar të arrijnë në Shkup kufomat e aksidentit të 23 nëntorit, që ndodhi në Bullgari.
“Pas komunikimit të sotëm me prokurorin bullgar Z. Sarafov kompetent për tragjedinë e 23 nëntorit në Sofje, dua të informoj se dorëzimi i kufomave të bashkëqytetarëve tanë që humbën jetën në këtë tragjedi nga instituti i mjekësisë ligjore në Sofje planifikohet për të enjten, 2 dhjetor 2021”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani përmes një postimi në Facebook, tha se transportimi i trupave të pajetë të tragjedisë do të bëhet përmes avionit, njofton Klankosova.tv
“Qeveria bullgare u përgjigj pozitivisht kërkesës sonë që transporti të bëhet me avion të R. Bullgarisë deri në aeroport të Shkupit të njëjtën ditë ose të nesërmen, e premte 3 dhjetor, prej ku me protokoll shtetëror do dorëzohen familjarëve nëpër shtëpitë e tyre. Për detajet tjera mbetem në komunikim të drejtpërdrejtë me familjarët dhe opinioni do të informohet në kohë”, ka shkruar tutje ministri.