Forcat speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Serbe, të armatosura deri në dhëmbë, së bashku me truprojat personale të Milorad Dodikut, po ruajnë presidentin e këtij entiteti, pasi pjesëtarë të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) tentuan ta arrestonin.
Sipas raportimit të klix.ba nga vendngjarja, pjesëtarët e SIPA-s më herët kishin arritur në Qendrën Administrative të Qeverisë së RS-së, ku ndodhet Dodik, për ta arrestuar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, e cila më parë kishte shpallur një urdhër-arrest qendror ndaj tij.
Megjithatë, planin e SIPA-s e penguan pjesëtarët e policisë së entitetit, të cilët dolën në mbrojtje të një personi ndaj të cilit ekziston një urdhër-arrest gjyqësor
Zhvillimi i tillë i ngjarjeve ngre pyetje serioze mbi sundimin e ligjit dhe mbi shkallën e kontrollit politik të drejtpërdrejtë ndaj policisë së entitetit.
Në vend që të veprojnë në përputhje me ligjet e shtetit, pjesëtarët e institucioneve të RS-së po tregojnë përsëri besnikëri ndaj një individi dhe jo ndaj rendit juridik.
Kujtojmë se, përveç Dodikut, janë shpallur urdhër-arreste edhe për kryeministrin e RS-së, Radovan Viskoviq, si dhe për kryetarin e Kuvendit Popullor të RS-së, Nenad Stevandiq, gjë që dëshmon për thellësinë e krizës juridike dhe politike në këtë entitet.
Dodik, më herët gjatë ditës, ka qëndruar në Shekoviq, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së projektit për gazifikimin e pjesës lindore të RS-së, dhe më pas ka mbërritur në Qendrën Administrative në Sarajevën Lindore për një takim me drejtues lokalë.
Pikërisht aty e ka gjetur SIPA-ja, por duket se policia e entitetit i ka mundësuar që të mbetet i paprekshëm – të paktën për momentin.