Repartistja e njohur Tayna ka lansuar projektin e saj më të ri muzikor, “Thana”, këngë kjo që po tërheq vëmendje jo vetëm për stilin e saj unik, por edhe për mesazhin e thellë që përçon.
Përmes një reagimi në llogarinë e saj në Instagram, Tayna ka ndarë me ndjekësit ndjesitë dhe simbolikën që qëndron pas këtij projekti, duke e përshkruar si një rikthim tek rrënjët dhe forca e trashëguar nga të parët, transmeton Gazeta Papirus.
”‘Thana’ nuk është thjesht një këngë për mua — është një udhëtim drejt rrënjëve tona më të lashta. Çdo skenë e xhiruar në Shqipëri është një rikthim tek natyra e egër, tek forca femërore dhe tek magjia që kemi trashëguar nga ilirët. Shqipëria, me malet, lumenjtë dhe natyrën e saj të paprekur, mishëron shpirtin e Thanës. Me këtë projekt, dua t’i jap zë një fuqie të lashtë që ende pulson në gjakun tonë”, ka shkruar Tayna.
Videoklipi i realizuar në natyrën shqiptare është pritur me entuziazëm nga fansat, të cilët kanë vlerësuar estetikën vizuale dhe mesazhin e fuqishëm të projektit.
Me “Thana”, Tayna sjell jo vetëm muzikë, por edhe një ndjenjë krenarie dhe lidhjeje me identitetin kulturor.
Kush është Thana?
- Thana ishte Perëndeshë Ilire e Natyrës: Ajo adhurohej nga ilirët e lashtë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, në territoret që sot njihen si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe më gjerë.
- Mbrojtëse e Natyrës dhe Maleve: Thana sundonte natyrën e egër — malet, pyjet dhe lumenjtë — dhe konsiderohej rojtare e botës së paprekur dhe të shenjtë.
- E lidhur me Hënën: Ajo mishëronte ciklet e natyrës, feminitetin dhe mistikën e natës.
- Fuqi e Pafund Femërore: Thana përfaqësonte pavarësinë, sensualitetin dhe forcën e papërpunuar natyrore, duke qenë një figurë hyjnore përpara vendosjes së sistemeve patriarkale.