Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur sot në takim Komandantin e Forcave Tokësore të Shqipërisë, Gjeneral brigade Arben Kingjin.
Gjenerallejtënant Jashari ka falënderuar Gjeneral Kingjin për vizitën dhe njëkohësisht i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij për ngritjen e bashkëpunimit midis dy ushtrive.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Ministria e Mbrojtjes.
“Në takim janë diskutuar fushat e bashkëpunimit me qëllim të rritjes së numrit të aktiviteteve bilaterale mes FARSH-it dhe FSK-së duke përfshirë trajnimin, edukimin, ushtrimet e përbashkëta si dhe aktivitete të tjera me ushtritë e shteteve mike”, thuhet në komunikatë.
Gjeneral Jashari me këtë rast ka deklaruar se Shqipëria dhe FARSH-i si anëtarë të NATO-s, janë partner i rëndësishëm i Kosovës dhe FSK-së në rrugën drejt integrimit në NATO.
“Në fund dy Gjeneralët u dakorduan se partneriteti ndërmjet ushtrive tona është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e regjionit, veçanërisht në ambientin e ndjeshëm aktual të sigurisë”. /Telegrafi/