Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë evidente nga takimi i së hënës në Bruksel.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se shkurti i vitit 2023 paraqet fillimin e një faze të re të dialogut Kosovë-Serbi me ç’rast, njohja s’do jetë temë e diskutimit.
“Të hënën, në Bruksel, nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër. Përkundrazi, 27 Shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi. Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti. Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se takimi në Bruksel paraqet një takim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë e për këtë, ai lë përgjegjës ekzekutivin e udhëhequr nga Kryeminstri Kurti.
Për më keq, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër”, ka shkruar ai.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
BE-ja ka thënë se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.