Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të flasë për takimet me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe më pas drekën e punës me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në këtë takim të fundit po merr pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Pasi mori pjesë në lansimin e një platforme për punësimin e të rinjve, Kurti u pyet nga gazetarët rreth asaj çfarë pritet të ndodhë në këto takime, por refuzoi të jepte detaje. Gazetarët e pyetën për Asociacionin dhe çështje të tjera, por Kurti tha se për këto do të flasë më pas, raporton Gazeta Express.
E kemi një takim tash me të gjithë ambasadorët që janë të akredituar këtu në Prishtinë në Republikën e Kosovës por edhe me diplomatë të tjerë të vendeve mike. E kemi një takim në orën 11:00 e më pas e kemi edhe një drekë pune me emisarin e veçantë të Bashkimit Europian për Ballkanin dhe për dialogun Kosovë – Serbi, z. Lajçak, e më pastaj do të mund të flasim për këto gjëra, pasdite”, tha Kurti.
“Do t’ju tregojmë se çfarë temash do t’i diskutojmë. Por gjëja më e mirë që filloi sot është projekti “Super Puna”. E tash nëse dalin prej temës së rinisë ata që s’janë bash të rinj, do të mund të flasim edhe për Asociacionin e për dialogun…. por pasi ta kryejmë takimin”, shtoi ai.
Takimi me ambasadorët përfundoi, ndërsa tani Kurti është në takim me Lajçakun. Në të po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Kurti të enjten në një seancë të Kuvendit renditi gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të bëhet i pranueshëm sipas tij.