Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, bëri të ditur se nuk është arritur marrëveshja sërish mes palës kosovare dhe asaj serbe. Ai këtë njoftim e bëri pas takimeve në nivel kryenegociatorësh.
Lajçak, me anë të një postimi në ‘Twitter’, bëri të ditur se pati përparim për çështje të tjera, veçanërisht atë të energjisë elektrike, por nuk pati asnjë epilog pozitiv për targat.
“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në fusha të tjera, përfshirë këtu çështjen e energjisë. Puna do të vazhdojë”, deklaroi ai në ‘Twitter’.
Kjo është përpjekja e dytë që të arrihet një marrëveshje për çështjen e targave.
Marrëveshja e përkohshme e targave ka përfunduar më 21 prill.