Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta largojë Projektligjin për pagën minimale, pasi sipas tij është diskriminues. Ai ka thënë se kjo kategori nuk kërkon benefite por është kategori e dëmtuar.
Ai ka thënë se ky pension duhet të jetë burim jete i tyre dhe në të njëjtën kohë duhet të ndryshojë Projektligji t’i lejojë të punojnë ata.
“Ajo çka po shohim në Kuvendin e Kosovës është një diskriminim i paparë. Është një huqje e madhe që lidhet drejtpërdrejtë me veteranët e UÇK-së, por edhe me një kategori që realisht kërkojnë benefite publike, por nuk i kanë. Po flasim për kategori të cilat janë tepër të dëmtuara. Këto tri kategori janë larguar nga ky ligj. Është turq që ky propozim i qeverisë të mos largohet pas një diskutimi të gjatë që e pata me kryetarin e Kuvendit dhe grupet parlamentare. Insistimi me ecë tutje tregon fytyrën, logjikën dhe kulturën e kësaj qeverie… Është qeveri e prodhimit të krizave të njëpasnjëshme, nuk na duhet kjo situatë”, tha ai.
Gjatë konferencës për medie të hënën, Tahiri kërkoi që Projektligji për pagën minimale të tërhiqet në Qeveri.
Dy ndryshimet kryesore, sipas tij duhet të jenë që paga minimale të ndërlidhet sërish me pensionin e veteranit dhe të largohet dispozita që i mundëson veteranëve të marrin pension dhe të punojnë.
“Ky projektligj duhet të kthehet në qeveri dhe duhet të diskutohet seriozisht për këtë kategori. Nuk është ky shpërblim, por pension, burim jete i ekzistencës së tyre. Pra duhet të bëhen dy ndryshime të mëdha, e para të lidhet me pagën minimale dhe e dyta t’iu mundësohet veteranëve që të punojnë. Pasi, kur kanë shkuar në luftën për liri, nuk kanë menduar as në ëndërr që kjo situatë, kjo qasje do t’iu bëhet në një Kosovë të lirë dhe pavarur”, shtoi Tahiri.
Duke komentuar protestën e sotme të OVL-UÇK-së, deputeti opozitar tha se ata nuk kanë dal për qejf në protestë, por nga vështirësitë jetësore.
“Nuk ka kategori dhe as veteranë të cilët dalin për qejf në protestë. Kush del sot në protestë, 1.75 nafta është me ardh deri në Prishtinë. Secili prej tyre jeton në buzë të varfërisë, askush nuk del për qejf në protestë”, tha ai.