Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, që javën e kaluar u arrestua me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.
Tahiri tha të hënën para mediave se bashkë me Krasniqin duhet të shkarkohet edhe Bordi i KEK-ut për keqmenaxhim të krizës së energjisë elektrike dhe keqpërdorime.
“Ajo që kemi kërkuar edhe ditën e enjte që ky person të shkarkohet. Bordi i KEK-ut të shkarkohet dhe të merren masa edhe ndaj akterë të tjerë që janë përfshirë në kuadër të menaxhimit të krizës të energjisë me ato keqpërdorimet që kanë ndodhur. Për ne si deputetë është e papranueshme që kryeshefi, që është në paraburgim, vazhdon të jetë edhe në krye të Korporatës”, deklaroi ai.
Sipas deputetit të PDK-së, keqpërdorimet në KEK janë disa milionëshe dhe qëndrimi i Krasniqit në postin e kryeshefit është i paprecedentë.
I pyetur për situatën në veri, deputeti i partisë opozitare tha se ishte obligim i tyre që t’iu ofronte qytetarëve të atyre komunave kandidatë për zgjedhje.
“E dimë gjendjen në atë pjesë… Mirëpo, ka qenë obligim i yni që më paq sa ka votues t’i ofrojmë kandidatë dhe pavarësisht epilogut, t’i mbajmë të angazhuar politikisht ata qytetarë. Shohim një angazhim të madh të Serbisë në atë pjesë të Kosovës, një manipulim të madh që po ua bën qytetarëve serbë. Ata nuk shohin nga e ardhmja, por kanë vendosure të shndërrohen në një instrument të Beogradit. S’na gëzon që kemi një situate çfarë kemi, s’na gëzon fakti që kemi një ndikim kaq të madh të Beogradit. Dimë të dallojmë legjimitetitin nga legaliteti”, deklaroi ai.
Kryesia e Kuvendit s’pati kuorum të hënën për ta mbajtur mbledhjen të hënën.