Besnik Tahiri nga AAK-ja, thotë se Qeveria e Kosovës ka shumë fjalë dhe pak mbështetje për Policinë e Kosovës.
Tahiri përmes një shkrimi në “Facëbook” uron 24 vjetorin secilit polic, i cili është pjesë e këtij institucioni të sigurisë.
Ai shtoi se sot, policët kanë pritë lajmin për shtesat e tyre dhe sipas tij këto janë brengat me të cilat po ballafaqohen që tri vite.
Shkrimi i plotë:
Fjalë shumë e mbështetje pak për Policinë e Kosovës.
Policia e Kosovës është krenaria e Kosovës – me këtë fjali do të doja të uroj 24 vjetorin secilit polic, i cili është pjesë e këtij institucioni të sigurisë.
Megjithatë, në vend të defilimit të zyrtarëve të Qeverisë në shesh dhe fotografimit me policë, sot Policët e Kosovës kanë pasur nevojë që të marrin lajmin e shumëpritur për shtesat e tyre: Për pagesën e orëve shtesë; për pagesën e rrezikshmërisë; për rritjen e koeficientit të pagave; për Ligjin për Sigurimet Shëndetësore; për Ligjin për Sigurimin Jetësor.
Këto janë brengat e secilit polic.
Policëve nuk u intereson se në çfarë forme trajtohet paga e tyre. Atyre u intereson që ta marrin pagën e dinjitetshme. Po bëhen tri vjet që po jepen shumë fjalë për Policinë e Kosovës, por mbështetje shumë pak.