Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga deputetët e shumicës që të bëjnë presion te qeveria për të emëruar Ministrin e Shëndetësisë.
Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet mbi situatën në sektorin e shëndetësisë, Tahiri ka kritikuar qeverinë për mospunë në këtë sektor.
“Kolegë deputetë, ju keni përgjegjësi me ushtru presion që ky ministër me u emëru, përgjegjësia me qenë e qartë, kush e ka përgjegjësinë? A po e shihni sot, nuk po kemi me kënd me fol, po flasim vetë më veti, nuk po kemi me kënd me fol dhe shumicën e rasteve i shohim deputetët e shumicës duke u përqeshë. Mirë është shumë, por mendoj ata që janë duke shkuar në klinika private, ata kanë me ju përqeshë pak më shumë juve, ata që po i bëjnë shpenzimet në klinika private, në Maqedoni, Shqipëri, Serbi e Turqi, ata në fund të ditës kanë me ua adresu këtë përgjegjësi”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kritikuar qeverinë duke përmendur listat e pritjes së pacientëve, derisa ka thënë se në kohën kur ministri i PDK-së e ka përfunduar mandatin, lista e pritjes në klinikën e kardiokirurgjisë invazive ka qenë zero, ndërsa sot është 2 mijë.
“Unë ju ftoj me pa çështjen në klinikën e kardiokirurgjisë invazive. Kur e kemi dorëzuar qeverinë ose më saktësisht kur e ka dorëzuar detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, ministri nga Partia Demokratike, zotëri Uran Ismaili, lista e pritjes së qytetarëve të Kosovës për stenta ka qenë zero. Pra, për një periudhë që në 2017 kanë qenë me mijëra në listë, në fund të vitit 2019 lista e pritjes ka qenë zero, qytetarët kanë marrë shërbim brenda ditës. Pra, po flasim për një shërbim mjaft të kushtueshëm për qytetarët e Kosovës, që është stenta… Aktualisht, lista e pritjes së qytetarëve të Kosovës për stenta është rreth 2 mijë”, ka thënë Tahiri.