Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për publikimin e një videoje ku paraqiten “të bëmat” e qeverive të kaluara, ku në pamje është edhe Tahiri. Për këtë, Tahiri pyeti se kush ka guxim ta bëj një gjë të tillë, duke i bërë thirrje partisë më të madhe në pushtet që ta fshijë pjesën ku paraqitet ai, përndryshe do t’i padisë në gjykatë.
Tahiraj tha se nuk e kupton pse ai është në video, duke pretenduar se gjatë kohës sa ka qenë në pushtet, nuk ka keqpërdorur asgjë.
“E kuptoj luftën politike, kundërshtimet politike, por nuk mund ta kuptoj ku e merr guximin ai njeri që e ka publiku atë video, me ma qit fotografinë time në një video inkriminuese dhe me më fyer, ku e merr guximin me ma vendos fotografinë dhe me i kriju shqetësim familjes sime në shtëpi, rrethit tim familjar, kur kurrë në jetë, aq sa kam qenë në funksion publik, kurrë në jetë një sen nuk e kam keqpërdor. Le të del Lëvizja Vetëvendosje e të thotë se veç një element e ka keqpërdorë. Kam qenë Zëvendësministër si Besnik Bislimi, 5,000 euro e kam pasur kartelën, zero zero e kam kthy, veturën e kam kthyer në fushatë, gjemani një njeri që e kam punësu, gjemani një keqpërdorim që e kam bo. Po kush jeni ju more burrë me ma qit fotografinë mua, a mendoni se kjo veç kalon kështu? Dilni në veti, qysh ju doket juve me ju vendos një parti politike, fotografinë e juaj në video, pa keqpërdor asnjë gjë? Unë nuk lejoj kjo me shku kështu. Kërkoj nga LVV me ma heq atë fotografi, përndryshe të gjitha mekanizmat ligjorë që ekzistojnë në këtë shtet do t’i përdori, për me tregu ata çka kam keqpërdorë unë. Do të ballafaqoheni me gjykatë, me padi personale. Nuk lejoj kështu me më kriju shqetësime në familje”, tha Tahiraj.