Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar të enjten se gjendja në vend është kritike.
Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për marrëveshjen e Ohrit, Tahiri ka thënë se ajo është përmbyllur në ditën kur është darkoduar dokumenti i parimeve.
“Për ne si Grup Parlamentar dhe si subjekt politik, çështja e parë që duhet të adresohet dhe të pranohet është se gjendja në vend është kritike. Është e nevojshme si Kuvend dhe si Qeveri ta forcojmë agjendën tonë në forcimin e subjektivitetit tonë shtetëror”.
“Ne duhet të jemi të sinqertë me qytetarët, marrëveshja është përmbyllur në ditën kur është darkoduar dokumenti i parimeve. E dyta, aneksi që është darkoduar në Ohër është pjesë integrale e një marrëveshje që iu jep detyrime palëve, pra Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur shefi i deputetëve të AAK-së.
Tutje, ai ka thënë se me marrëveshjen e Ohrit, dialogu dhe diskutimi me BE-në do të vazhdojë me vite.
“Për ne, kjo duhet të përdoret si mundësi e forcimit të Kosovës, por në të njëjtën kohë është një potencial për lëshime dhe dështime”.
Sipas Tahirit, në trupën që do të formohet për aneksin, Kuvendi duhet të kërkojë që të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Të jenë pjesë përbërëse e asaj trupe dhe ka të drejtë të i japë BE-së vlerësime për hapat dhe mundësitë që duhet t’i krijohen Kosovës. Është shumë e rëndësishme që kryeministri mos ta humbë qëllimin. Mos ta shfrytëzojë këtë proces si luftë e pushtetit ndaj opozitës”, është shprehur mes tjerash ai. /Telegrafi/