Mungesa e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës po bëhet temë diskutimi në pothuajse çdo takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Një gjë e tillë u diskutua edhe në takimin e udhëheqësit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të rinjtë e Komunës së Dragashit.
Szunyog theksoi se çështjen e liberalizimit të vizave e përmend gjithmonë në takimet me drejtuesit e Bashkimit Evropian, teksa u shpreh se shpreson se kjo do të ndodhë së shpejti, shkruan koha.net.
“Sa herë që shkoj në Bruksel e përmendi që Kosova i ka përfunduar punët për liberalizim. Ende nuk është vendosur dhe për këtë ndiej keqardhje se nuk është në dorën time, por të 27 vendeve anëtare. Është një çështje që i ngarkon marrëdhëniet tona. Dje kishte një protestë të studentëve… Qeveria e Kosovës duhet ta luajë rolin e saj, por ekziston mundësia që Kosova të bisedojë me ministrat e 27 vendeve që janë anëtarë që ata të binden se liberalizimi i vizave është i duhur”, është shprehur ai.
Lëvizje të lirë për kosovarët, pa pasur nevojë për vizë, ka kërkuar edhe përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai në një forum në Serbi ka thënë se është shumë me rëndësi për rajonin që të liberalizohen vizat për kosovarët. /Gazeta Papirus/