Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, në kandër të fushatës: “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës Me Bazë Gjinore”.
Me këtë rast, ministri Sveçla theksoi se gjatë vitit 2021 janë raportuar 2456 raste të dhunës në familje, ndërsa deri në nëntor të këtij viti janë raportuar 2270.
Mjafton të vështrohen viktimat sipas gjinisë në këto raste, për të kuptuar urgjencën me të cilën dhuna në baza gjinore duhet të trajtohet. Prej 2270 rasteve gjatë këtij viti, 1901 viktima janë vajza dhe gra”, theksoi ministri Sveçla.
Ai tha se kjo gjendje është një realitet i padëshiruar, por është edhe thirrje për reflektim e angazhim kolektiv që të mos kemi as edhe një viktimë më shumë.
Ministri Sveçla vuri në dukje se bashkë me Policinë e Kosovës, janë angazhuar dhe të përkushtuar që këtë dukuri shqetësuese ta trajtojnë me seriozitet dhe prioritet në bashkërendim të aktiviteteve me institucionet përgjegjëse, shoqërinë civile dhe qytetarët.
“Në kuadër të Policisë së Kosovës janë ngritur sektorë dhe njësi të veçanta me personel të trajnuar për t’i ofruar viktimave të dhunës në familje mbrojtje, siguri dhe shërbimet e nevojshme. Ajo vepron në nivel qendror në kuadër të sektorit të dhunës në familje, në nivel rajonal me autorizimin e zyrtarëve të caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe në nivel lokal në kuadër të stacioneve policore”, tha Sveçla.
Në fund ministri Sveçla theksoi se duke pasur parasysh që dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore janë fenomene në rritje, bashkëpunimi mes të gjithë akterëve institucional është jetik, andaj duhet të thellohet edhe më shumë që secila vajzë dhe grua të jetojë dhe veprojë në vendin tonë e lirë dhe e sigurt.