Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje për operacionin që ka ndërmarrë Policia e Kosovës në veri të vendit.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka bërë me dije se në Mitrovicë të Veriut, tek “Tre Rrokaqiejt”, janë gjetur dhe konfiskuar nga policia 60 kartela grafike, makina antiminer, ventilatorë, poça që përdoren në laboratore kanabisi, llampa, municione dhe tetë mjete shpërthyese të improvizuara
Sveçla ka thënë se po ashtu ky aksion dëshmon arsyet pse regjimi “i Aleksandar Vuçiqit dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar në veri”.
Nga këto gjetje, Xhelal Sveçla nxjerr edhe konkluzione politike, që sipas tij, dëshmojnë tri gjëra.
“1. Është një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve tanë policorë, pjesëtarëve të Kforit e Eulexit, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm. 2. Është dëshmi lidhur me kontigjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të Vuçiçit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin. 3. Eshte dëshmi e arsyes së vërtetë se përse Vuçiçi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar”.
Postimi i plotë:
Luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit është prioritet i yni. Për më shumë se 20 vite, veriu i shtetit tonë kryesisht ka jetuar në ilegalitet. Grupet dhe veprimtaritë kriminale kanë lulëzuar e paradoksalisht kanë qenë normaliteti. Ky realitet i mëparshëm po zbehet ditës-ditës. Qytetarët tanë pa dallim kërkojnë rend, ligj e siguri.
Pas informacioneve të pranuara, sot në Mitrovicën e Veriut është kryer një aksion i suksesshëm nga Policia e Kosovës në një banesë në rrugën e Kolashinit, saktësisht në katin 11 tek tre rrokaqiejt.
Në banesë janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara.