Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka marrë nën mbrojtjen e tij, rreshterin në kuadër të hetimeve për Krime Ekonomike në Prishtinë, Idriz Gashin i cili u suspendua pas raportimeve në media se ka marrë pjesë në një tubim politik të PDK-së në Skenderaj.
Koci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se klienti i tij nuk ka qenë pjesë e këtij tubimi dhe se i njëjti ka prova materiale.
Ai ka njoftuar se është autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj kallëzimin penal për falsifikimin e fotos.
“Ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur integritetin e një zyrtari dhe për të dërguar një mesazh të qartë: drejtësia nuk do të tolerojë manipulime të tilla. Le të shërbejë ky rast si një m për forcimin e ligjit dhe mbrojtjen e institucioneve tona. “E vërteta gjithmonë del në dritë, por kërkon guxim dhe drejtësi””, ka shkruar Koci në Facebook.
Koci ka thënë se shpreson që ky suspendim i Idriz Gashit të mos dekurajojë hetuesit e tjerë në ndjekjen e rasteve penale ndërsa sipas tij në anën tjetër, ky rast duket si një përpjekje e hapur për delegjitimimin e institucioneve shtetërore.
Gjatë ditës së sotme Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ka rekomanduar suspendimin e një koloneli policor dhe ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një majori, për pjesëmarrje në tubime të natyrës politike.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara ku janë përfshirë një gradë e kolonelit policor dhe një major. IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike kurse rastin e majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.