Edhe publicisti Veton Surroi ka komentuar projektin e Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë në kohën e qeverisjes së Rexhep Mitrovicës.
Veton Surroi, i cili është djali i Rexhai Surroit, funksionarit të Kosovës komuniste në ish-Federatën Jugosllave, ka publikuar një fotografi në të cilën Xhafer Deva shfaqet në shoqërinë e një oficeri të Vermachtit gjerman dhe një ish-lideri çetnik serb.
Surroi në Twitter shkruan :
Një oficer i Wehrmacht-it me dy bashkëpunëtorë: udhëheqësin çetnik Kosta Pećanac dhe Xhafer Deva. Podujevë/o, 1941. Një mësim historik i hapur.
Një Kosovë e pavarur u ndërtua me dhimbje, por përfundimisht si një fitore e antifashizmit, forcës transatlantike që fitoi mbi ata të tablosë.
Politikani nga Mitrovica, Xhafer Deva, ka marrë vëmendje tash, gati 44 vjet pas vdekjes së tij.
Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër ta restaurojë shtëpinë e dikur ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.
Por, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke treguar se ai kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, ka shkruar Rohde.
Projekti i MKRS-së është paraparë të përfundojë në fund të këtij viti. Kostoja e restaurimit është paraparë të jetë 300 mijë euro.