Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për anulimin e votave me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Në vendimin e Supremes thuhet se LVV-ja e ka paraqitur ankesën më 21 mars të këtij viti, ku shkruhet se duhet të anulohen rezultatet e votimit me postë për LDK-në dhe kandidatët e saj, gjithsej 18,933 vota.
Tutje, në kërkesë thuhet që këto vota duhet të largohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të përsërisë votimin me postë në tërësi, si dhe të largohen nga lista e kandidatëve të LDK-së disa kandidatë, siç pretendohet, për shkak të manipulimit me vota të ardhura me postë dhe të mos e lejojë subjektin politik LDK t’i zëvendësoj kandidatët e larguar.
Për të gjitha këto Supremja ka pohuar: “Refuzohet e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.641/2025, të datës 19.03.2025”.
Ndër tjera, gjykata ka shtuar se nuk janë shkelur të drejtat e qytetarëve për të votuar, edhe pse ka pasur disa pretendime për shkelje të mundshme, nuk është provuar se procesi zgjedhor ka ndodhur në mënyrë të paligjshme ose që ka cenuar të drejtat e qytetarëve për të ushtruar votën e tyre.
“Në këtë kontekst Gjykata Supreme e pranon në tërësi arsyetimin e dhënë nga PZAP, lidhur me mungesën e provave për të bazuar pretendimet e parashtruara dhe lidhur me referencat ligjore për bazën e refuzimit të ankimit të parashtruar në PZAP, në këtë rast me referencë në nenin 117 paragraf 3 dhe 118 paragraf 1 të LZP-së”
“Nga gjendja si më lartë me pretendimet ankimore, me asnjë provë nuk ka vihet në dyshim gjendja faktike e vërtetuar si më lartë nga ana e organit, vendimi i të cilit është kontestuar, andaj si të pa bazuara vlerësohen pretendimet e ankuesit në ankesë, përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thotë Supremja.
Kurse, Policia e Kosovës është autorizuar sot nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të nisur hetimet për procesin e votimit me postë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Për Klankosova.tv këtë e bëri të ditur Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe verifikim të informacioneve, mirëpo në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse mund të cenohej procesi hetimor”, ka thënë Shala.
Lëvizja Vetëvendosje para ankesës në Gjykatën Supreme, iu drejtua edhe PZAP-it më 17 mars me kërkesën për anulimin e të gjitha votave me postë që ka marrë LDK-ja nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me pretendimin se ka pasur manipulim të tyre, teksa kërkoi edhe përsëritje të procesit të votimit me postë.
PZAP-ja, më 19 mars hodhi poshtë ankesën e LVV-së me arsyetimin se pretendimet e kësaj partie janë të pabaza. Pas kësaj, LVV-ja e dërgoi në Supreme ankesën, dhe pas pesë ditësh afat u refuzua.
Sipas rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja për zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse, PDK-ja 24 sosh, LDK 20, Lista Serbe 9 dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.
Pa përfunduar edhe procesi i ankesave, rezultatet nuk do të mund të certifikoheshin.