Gjykata Supreme ia ka lënë në fuqi dënimin prej 15 vjet burgim ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa me arsyetimin se “nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale”.
Më 25 shkurt 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë prej gjykatësve Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart, dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë që parashtruan Mustafa dhe ZPS-ja.
Këto kërkesa u dorëzuan në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 10 shtator të vitit të kaluar, në të cilin u shqiptua dënimi i ri për Mustafën.
“Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz i cili kërkohet që një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi dënimet individuale ndaj Mustafës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vite burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit 2022 Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Gjykata e Apelit ia kishte zbritur dënimin pastaj në 22 vjet burgim. Në rigjykim, ky dënim i ishte zbritur pastaj në 15 vjet burgim.