Superliga e futbollit do të vazhdojë në këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së 29-të.
Pa dyshim, dueli kryesor i kësaj xhiroje do të jetë ai mes Dritës dhe Prishtinës.
Gjilanasit vijnë nga gabimi kundër Malishevës, me ç’rast distanca me Ballkanin u ngushtua në 10 pikë.
Prandaj, “Intelektualët” kanë nevojë për fitore në shtëpi për ta ruajtur këtë diferencë dhe për të qenë kështu më të qetë.
Nga ana tjetër, kryeqytetasit e mposhtën në mesjavën e kaluar pikërisht Dritën në Kupën e Kosovës, ndërsa vazhduan më pas me një tjetër performancë spektakolare kundër Suharekës në Superligë, për ta konfirmuar këndelljen me trajnerin e ri, Arsim Thaqi, transmeton Gazeta Papirus.
Për këtë, dueli i së enjtes mes rivalëve të moçëm pritet të jetë “i zjarrtë”.
Ndërkohë, Ballkani do ta ketë të obligueshme fitoren ndaj Gjilanit në shtëpi dhe të shpresojë më pas në një gabim eventual të lideres Drita, me shpresën që ta ngushtojë disavantazhin në pikë.
Dukagjini do ta kërkojë këndelljen ndaj Suharekës pasi u trondit nga Ballkani, kurse Llapi e do fitoren e radhës dhe është favorit absolut ndaj Feronikelit 74 të dorëzuar.
Ferizaj do të mundohet t’i sigurojë pikët e qetësisë ndaj Malishevës, e cila e ka “blinduar” tashmë pozitën e tretë.
Një ndeshje do të luhet të martën, dy të mërkurën e dy të enjten.