Kriza financiare është kthyer sërish në futbollin kosovar sa që shumë futbollistë e trajnerë shkuan në pushim dimëror pa i marrë të gjitha pagat nga një pjesë e madhe e klubeve të tyre. Trendin e rritjes së pagave në futbollin kosovar nuk e ka ndalur as pandemia, e cila edhe në klubet më të mëdha evropiane ka imponuar ulje të pagave. Duke e parë situatën, donatori dhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, propozon ulje të pagave deri në 30 për qind edhe në Kosovë. Këtë thotë se duhet ta bëjnë bashkërisht klubet.
Pjesa e parë e kampionatit në Superligën e Kosovës tashmë ka përfunduar, ndërsa futbollistë e trajnerë të shumtë në pushim dimëror do të shkojnë pa i marrë të gjitha pagat nga klubet e tyre. Kjo pasi një pjesë e konsiderueshme e klubeve qe një kohë të gjatë janë përballur me krizë financiare, e cila krizë është ndje edhe te ato klube që ia kanë dal disi t’i kryejnë obligimet ndaj futbollistëve, trajnerëve dhe punonjëseve të tyre, shkruan Gazeta Express.
Kohëve të fundit janë identifikuar klube si Prishtina, Ballkani, Drenica, Feronikeli e Llapi me borxhe prej një deri në katër muaj ndaj lojtarëve të tyre, të cilët kanë paga goxha të larta. Në Superligën e Kosovës thuhet se ka futbollistë që merr rrogë deri në 7 apo 8 mijë euro në muaj. Kjo rritje ka filluar pak kohë para pandemisë, e cila në shumë vende të Evropës i ka detyruar edhe klubet më të mëdha evropiane t’i ulin pagat. Kurse, trendin e rrogave të mëdha në Kosovë nuk e ka ndalur as pandemia, gjë që ka ndikuar në thellimin e krizës financiare të klubeve, të cilat financohen nga disa donatorë, bizneset e të cilëve janë prekur nga Covid-19.
Kriza financiare është ndje edhe në njërin prej klubeve më të mëdha të Superligës, te Llapi që financohet nga familja Batatina. Donatori i cili e mban edhe postin e kryetrajnerit në Llap, Tahir Batatina, në një bisedë me Gazetën Express, hedh idenë e uljes së pagave në Superligën e Kosovës, me qëllim që të mos rrezikohet e ardhmja e klubeve elitare.
Unë jam i mendimit që pagat në Superligë të ulen deri në 30 për qind. Dhe këtë duhet ta bëjnë bashkërisht të gjitha klubet me një pajtim dhe koordinim gjithëpërfshirës”, deklaron për Express Batatina, i cili beson se një ulje e pagave prej 30 për qind do të mirëkuptohej edhe prej futbollistëve, të cilët megjithatë do të vazhdonin të paguheshin kënaqshëm.
“Në Superligën e Kosovës ka lojtarë që paguhen edhe me 7 apo 8 mijë euro në muaj. Rroga mesatare besohet se është 3500 euro. Këso rroga në këtë kohë nuk ka askund në rajon, veç te ne në Kosovë”, thekson Batatina.
Ai tregon se si brenda një periudhë rrogat që ishin trishifrore u shndërruan në katërshifrore. “Ndikoi euforia e anëtarësimit në UEFA. Euforia për të marrë pjesë në mënyrë me dinjitet në garat evropiane bëri që të vjen kjo rritje e shpejtë dhe e madhe e rrogave. Por, kjo është e rrezikshme për të ardhmen e klubeve, për stabilitetin, andaj duhet filluar kontrolli, të shkelim me këmbë në tokë dhe të punojmë mbarë edhe për një të ardhme më të sigurt”, nënvizoi Batataina.
Sipas tij, donatorët e klubeve meritojnë respekt shoqëror e institucional për sakrificat që bëjnë për futbollin kosovar. “Pa qenë në pozitën e një donatori që jep gjithçka nga vetja për futbollin është e vështirë të kuptohet një donator. Por unë ju siguroj se për këta njerëz do të shkruhen libra dhe do të dëgjojnë edhe gjeneratat e ardhshme. Japim pa fituar asgjë. Kur japim nuk llogarisim se do të fitojmë diçka. Andaj, donatorët e futbollit meritojnë respekt, por edhe përkrahje institucionale”, potencon Batatina.
Kriza financiare ka qenë kaherë e madhe në futbollin kosovar, të cilën nuk po e eliminon dot as anëtarësimi i Kosovës në UEFA e FIFA.