Premier League është gati për sfidën vendimtare të sezonit, ku do të vendosë shumë për titullin kampion. Manchester City – Arsenal do të rrëmbej skenën jo vetëm në Angli, por kudo në botë.
Në “Etihad Stadium” do të luhet sfida më e madhe e sezonit, me kampionët aktual që po kalojnë një super formë. Skuadra e Pep Guardiolës me ndihmën e tifozve do të kërkojë triumfin e rradhës që do të ishte një hap i sigurt për mbrojtjen e titullin kampion.
Në anën tjetër Arsenali i cili deri tani ka zhvilluar një supersezon, në tre sfidat e fundit ka lëshuar terren në luftën për titull. Skuadra e Mikel Artetës, nuk ka shkuar më shumë se barazimi përballë Liverpoolit, West Hamit dhe Southamptoni dhe diferenca me Man City-t është vetëm 5 pikë, por “The citizens” kanë luajtur dy ndeshje më pak.
Presioni i fundit të sezonit ka ndikuar jo pak te Arsenali, megjithatë londinezët janë të vetëdijshëm që për të luftuar deri në fund për titullin kampion, nuk duhet të humbasin në “Etihad”, ndërsa fitorja do të ishte një hap i sigurt për të siguruar titullin kampion që mungon prej vitit 2004.
Edhe njëherë tjetër vëmëndja maksimale do të jetë te Erling Haaland i cili deri tani ka zhvilluar një sezon të mrekullueshme duke thyer çdo rekord dhe sërisht ai do të jetë rreziku numër një për portën e Arsenalit. Ndërsa topçinjtë shpresojnë te Saka, Jesus dhe Martinelli që në sfidat e fundit kanë qenë deçiziv me golat e tyra, pavarësisht se Arsenali është ndalur nga barazimet.
“Topçinjtë” do të kenë mungesa të rëndësishme në këtë sfidë, pasi sërish nuk do të jetë në dispozicion William Saliba, ndërsa ende nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm Granit Xhaka, i cili nuk luajti edhe në ndeshjen e fundit
Statistikat nuk janë aspak në favor të skuadrës së Mikel Artetës, pasi fitorja e fundit e Arsenalit kundër Man Cityt në Premier League është në sezonin e largët 2015-2016. Edhe në përballjen e fundit mes dy skuadrave në “Emirates” djemtë e Pep Guardiolës triumfuan 1-3 dhe rihapën sërish garën për titullin kampion.
Përsa i përket historikut të përballjeve kjo do të jetë ndeshja e 188 në histori. Arsenali ja ka dalë mbanë të fitojë 89 ndeshje. Nga ana tjetër, City ka triumfuar në vetëm 56 sfida dhe 42 kanë përfunduar në barazim.