Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar në mëngjesin e së premtes.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të premten, Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të cilët po shkonin në pikat kufitare për ndërrimin e tyre, janë sulmuar me granatë dorë dhe armë AK-47. Ministri Sveçla e ka quajtur sulmin “terrorist”.
“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, në tri ditët e fundit kanë ndodhur katër sulme në atë zonë ndaj Policisë së Kosovës.
Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ta rrezikojnë drejtpërdrejtë jetën e tyre. Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës, sulmi i tretë është publik, ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të puntit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri, dhe sot drejtpërdrejtë janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare. Ky ishte një ndërrim i rregullt i policisë që ndodh në ora 08:00, dhe dy nga katër sulmet kanë ndodhur në atë kohë”, ka shtuar Sveçla.
Sveçla ka thënë po ashtu se angazhimi i institucioneve të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në çdo pjesë të vendit, është bërë pengesë për Serbinë.
“Në sulmin e sotëm ku rrezikohet drejtpërdrejt jeta e zyrtarëve, tashmë nuk kemi dyshime, është një sulm terrorist”.