Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se stacioni policor në fshatin kufitar Jasenovik është sulmuar nga të shtëna armësh, dy të shtëna radhazi, shkruan Express.
Policia thotë se njësitet relevante kanë gjetur një predhë të plumbit që e ka goditur rrethojën e objektit të stacionit policor në këtë fshat.
Komunikata e pltotë:
Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët policorë të cilët kanë qenë me detyrë në stacionin policor kufitar në Jasenovik, kanë informuar se me datë 02 nëntor 2022 gjatë natës kanë dëgjuar të shtëna armesh (dy të shtëna radhazi), përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke.
Njësia relevante policore ka gjetur një predhë plumbi e cila kishte goditur rrethojën e objektit të stacionit policor për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik. Lidhur me rastin Drejtoria kundër Terrorizmit po kryen hetime mbi dyshimet për kryerjen e veprave terroriste.
Policia e Kosovës me njësitet policore, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe kontrabandës si dhe shërbimin ndaj vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime.