Një grua myslimane me hixhab u sulmua për motive racore në një stacion metroje në Berlin, raportuan mediat lokale të hënën.
Incidenti ishte i fundit në një varg sulmesh ksenofobike në kryeqytetin gjerman që synonte njerëz me pamje të huaj, duke përfshirë gra myslimane me shami.
Policia e Berlinit konfirmoi se një grua myslimane 20-vjeçare në stacionin e metrosë Rathaus Neukolln pësoi lëndime të lehta pasi një person e sulmoi verbalisht dhe fizikisht, dhe u përpoq t’i hiqte hixhabin duke i tërhequr flokët.
Sipas policisë, i dyshuari ka shqiptuar sharje racore para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Vijojnë hetimet për përcaktimin e identitetit të autorit.
Gjermania ka qenë dëshmitare e rritjes së racizmit dhe islamofobisë vitet e fundit, të nxitura nga propaganda e grupeve dhe partive të ekstremit të djathtë, të cilat kanë shfrytëzuar krizën e refugjatëve dhe janë përpjekur të ngjallin frikë nga emigrantët.
Autoritetet regjistruan të paktën 569 krime islamofobike në vitin 2022, duke përfshirë sulme verbale dhe fizike, letra kërcënuese dhe sulme me zjarrvënie që synonin xhamitë.