Sipas Prokurorisë, ata janë liruar në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës.
Të njëjtit janë liruar dje, më 26 shtator.
“Ju njoftojmë se katër (4) persona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar dje (26 shtator 2023), nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tre të arrestuarit e tjerë gjenden nën masën e paraburgimit të caktuar dje pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.