Elita e futbollit kosovar ka vazhduar edhe këtë fundjavë me xhiron e 22-të.
Prej orës 14:00, dy ndeshje interesante janë luajtur në Drenas e në Suharekë.
Në Suharekë, klubi me po të njëjtin emër është mposhtur nga Gjilani, me shifrat prej 2-1.
Ishte Senad Jarovic që shënoi për 1-0, të cilit iu kundërpërgjigj Endrit Krasniqi për 1-1.
Edi Basa në pjesën e dytë ia dhuroi fitoren Gjilanit.
Me fitoren e sotme, Gjilani ngjitet në pozitën e katërt me 2 pikë më shumë se Prishtina, që ka një ndeshje më pak.
Suhareka mbetet në pozitën e gjashtë me 26 pikë, aq sa ka edhe Ferizaj, por me një ndeshje më pak e që është në vendin e shtatë.
Në Drenas, ndeshja mes Feronikelit ’74 dhe Dukagjinit është mbyllur me fitoren e vendasve.
Në “Rexhep Rexhepi” triumfoi Feronikeli ’74 me një gol në frymën e fundit.
Fitoren e madhe, Niklit ia dha Zekolli me golin e shënuar në minutën e 97-të të takimit.
Me këtë fitore, Feronikeli shkon në kuotën e 14 pikëve, derisa Dukagjini mbetet në pozitën e tetë në tabelë me 25 pikë të tubuara.
Dy ndeshjet Malisheva – Ballkani dhe Drita – Ferizaj do të luhen nesër, e diel, derisa Prishtina – Llapi luhet të hënën.