Ndonëse e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për muajin prill, përfaqësuesit e studentëve ka thënë se një shumë e tillë nuk është e mjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet pas ngritjes enorme të çmimeve.
Lirie Murati, studente në Fakultetin Teknik, ka thënë se shpreson që këto ndihma nuk do të ndalen. Ajo tregon se një shumë e tillë do t’i duhet vetëm për literaturë dhe shpenzime teknologjike, pasi në drejtimin që ajo ndjek, nuk ka infrastrukturë për praktikë në hapësirën e Fakultetit.
“E kemi mirëpritur faktin që kjo Qeveri ka filluar të mendojë për studentët. Kjo është një shumë solide që iu ka kushtuar studentëve dhe shpresojmë që këto ndihma të mos ndalen. Duke marrë parasysh rritjen enorme të çmimeve, për ne janë të papërballueshme. I bëj thirrje Qeverisë të mendojë më shumë për studentët. Duhet të mendojmë më shumë në këtë aspekt, pasi studentët janë e ardhmja e vendit. Këtë 100 euro do ta shpenzojë për literaturë dhe për shpenzime teknologjike, pasi na duhet për praktikë. Për faktin se në drejtimin tim mungon infrastruktura për praktikë, na duhet që ne të ndjekim kurse private”, ka thënë Murati në “SOT” të KTV-së.