Në takimin që po zhvillohet ditën e sotme në Shtëpinë e Bardhë mes Starmer dhe Trump, kryeministri i Britanisë së Madhe i ka dorëzuar presidentit amerikan një letër nga Mbreti Charles, duke e ftuar këtë të fundit për një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.
Në përmbajtjen e letrës nga Mbreti Charles III, që fton Trump në MB, thuhet se me anë të kësaj vizite shfaqet mundësia për të diskutuar një sërë çështjesh me interes të përbashkët.
“Përveç se kjo paraqet një mundësi për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh me interes të përbashkët, do të ofronte gjithashtu një shans të vlefshëm për të planifikuar një vizitë të dytë shtetërore historike në Mbretërinë e Bashkuar.
Siç e dini, kjo është e paprecedentë nga një president i SHBA-së.
Kjo është arsyeja pse unë do ta konsideroja të dobishme që ne të jemi në gjendje të diskutojmë, së bashku, një sërë opsionesh për vendndodhjen dhe përmbajtjen e programit.
Duke bërë këtë, duke punuar së bashku, e di se do të përmirësojmë më tej marrëdhëniet e veçanta midis dy vendeve tona për të cilat jemi të dy kaq krenarë.
I juaji sinqerisht, Charles”, shkruhet në letër.