Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi sot se BE-ja do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çdo masë dhe pasojë, duke mos dashur të komentojë pretendimet se disa shtete anëtare kanë kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë.
“Nuk është në kompetencën time të jap informacione nga bisedat konfidenciale dhe informacione për mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të martën i kam dhënë si ilustrim i aktiviteteve të vazhdueshme të BE-së për situatën në veri”, tha Stano në një konferencë për shtyp.
Stano tha se BE-ja edhe më herët ka thënë se masat e vendosura ndaj Kosovës mund të zbatohen edhe për Serbinë dhe kur shtetet anëtare të BE-së të marrin një vendim formal për to, për çfarë arsye, ato do të shpallen publikisht.
Sipas Stanos, situata është ndryshe tani pas sulmeve terroriste në veri të Kosovës dhe çfarëdo që të propozojnë Shërbimi për Politikë të Jashtme dhe Komisioni Evropian do të jetë në konsultim të ngushtë me shtetet anëtare.
I pyetur për videon e publikuar nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe nevoja e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë, Stano tha se gjithmonë ka nevojë urgjente për dialog të nivelit të lartë për shumë arsye dhe tani është edhe më i madh, duke pasur parasysh rrethanat.
Stano përsëriti se është e rëndësishme që Komisioni Evropian të kryejë një hetim, në mënyrë që të ketë një pamje të qartë dhe të plotë të gjithçkaje që ka ndodhur dhe kush është përgjegjës.
“Më pas do të merren vendime për masat, pasojat, kur të sqarohen të gjitha rrethanat dhe fajtorët, por ne nuk do të marrim vendime në bazë të një videoje, shtoi Stano dhe përsëriti se BE-ja nuk komenton çdo foto apo tweet.